fbpx
  •   +389 2 3099 500

Deformimet e shtyllës kurrizore

skolioza

Çfarë është skolioza?

Skolioza është lakimi anash i shtyllës kurrizore, e cila si pasojë e këtij lakimi i jep shtyllës kurrizore pamjen e gërmës C ose S.  Jo gjithmonë shfaqet me shenja të dukshme të deformitetit nga jashtë, por fëmija ankohet për nga dhimbjet në pjesën torakale dhe lumbale të shtyllës kurrizore gjatë qëndrimit në këmbë për një kohë të gjatë. Etiologjia është shpesh e panjohur (idiopatike) dhe një rrol të madh luan lëvizja apo qëndrimi jo siç duhet i trupit.

Me përparimin e sëmundjes dhimbjet e shtyllës kurrizore bëhen më intenzive. Deformiteti mund të ushtrojë presion tek disa nerva të palcës kurrizore, duke shkaktuar dobësi, mpirje dhe dhimbje në pjesën e poshtme të ekstremiteteve. Në raste të rralla mund të shkaktojë deformitete në pjesën e kraharorit, i cili rezulton me probleme të frymëmarrjes, lodhje, madje edhe dobësi të zemrës.

Simptomat më të shpeshta:

-          Supe dhe pelvis asimetrik

-          Dalja e njërit a po e dy supeve

-          Rënja e supeve apo e pelvisit

-          Gungë në pjesën e sipërme të shpinës

 

Trajtimi

Konzervativ

Trajtimi i skoliozës tek fëmijët në rritje, varet nga këndi i lakimit të shtyllës kurrizore i cili matet me rreze X panoramike.  Nëse këndi është deri në 25 gradë, atëherë zbatohen disa ushtrime të caktuara të cilat ndihmojnë në përmirësimin e lëvizjes së trupit dhe monitorimin e rregullt të ndryshimeve. Për deformimet nga 25 – 40 gradë përdoren brezat elastik ose korse plastike në kombinim me disa ushtrime të caktuara, ndërsa përsa i përket  deformimeve më të mëdha se 40 gradë, atëherë përdoret ndërhyrja kirurgjike.

Kirurgjik

Kur të jenë shteruar të gjitha teknikat e trajtimit jo operativ të skoliozës, kalohet në trajtimin kirurgjik i cili zbatohet tek pacientët të cilët kanë lakim të shtyllës kurrizore me një kënd prej 40-45 gradë. Trajtimi varet nga lloji i lakimit. Nëse pacienti ka mungesë të pjesës së rruazës, hemivertebra apo ndonjë çrregullim tjetër kongjenital, atëherë skolioza është e lindur dhe trajtimi përbëhet nga mënjanimi i hemivertebrës, korrigjimi i lakimit dhe fiksimi në pozicionin e duhur.

Skoliozat e shfaqura për arsye të panjohura, me lakime të zmadhuara, zgjidhen me trajtim kirurgjik i cili kryhet në pjesën e pasme.

Për skoliozat të cilat nuk janë trajtuar në kohë, ose pas trajtimit të zgjatur konzervativ, mund të përdoret kombinim trajtimesh. Tek këto skolioza të neglizhuara dhe të pa trajtuara, me kalimin e kohës deformimi rritet dhe trajtohet nga ana e pasme dhe e përparme.

Çfarë është kifoza?

Kifoza ose përthyerja e trupit nga përpara, është rritja e lakimit në pjesën e kraharorit(pjesës torakale) e quajtur ndryshe si gungë e shtyllës kurrizore. Kjo është veçanërisht e dukshme gjatë qëndrimit ulur duke treguar  përthyerjen e supeve nga përpara. Shpesh shfaqet si pasojë e rritjes së menjëhershme të fëmijës, nga qëndrimi ulur në pozicion të gabuar, për shkak të muskujve të dobët të shpinës dhe të barkut.

Kifoza gjatë periudhës së adoleshencës ndodh si pasojë e çrregullimeve të caktuara të rritjes. Tek personat e moshuar, arsyeja më e shpeshtë e shfaqjes së kifozës është osteoporoza. Kifoza mund të jetë dhe e lindur, mund të shfaqet nga trauma, ose si pasojë e ndërhyrjes kirurgjike.

Diagnoza

Shpesh pacientët paraqiten tek mjeku atëherë kur të kenë vërejtur shtrembërimin karakteristik të shtyllës kurrizore.  Ajo çfarë duhet të di mjeku juaj është historia juaj familjare e sëmundjes, kur e keni vërejtur për herë të parë shtrembërimin, nëse keni dhimbje apo ndonjë problem tjetër.  Nga procedurat diagnostike, mjeku do t’ju kërkojë të bëni radiografi, rezonancë magnetike, tomografi kompjuterike, në mënyrë që të shihen lakimet specifike të shtyllës kurrizore, teste neurologjike për të parë nëse ekziston presion në ndonjë nga nervat e shtyllës kurrizore.

Trajtimi

Konservativ

Hapi i parë përfshin ushtrime, marrjen e ilaçeve, vendosja e paisjeve të cilat ndihmojnë në reduktimin e dhimbjeve, fizioterapi.  Nëse shkaku për shfaqjen e kifozës është osteoporoza, atëherë duhet kontrollohet me qëllim që të ngadalësohet procesi i lakimit të shtyllës kurrizore.

Kirurgjia

Trajtimi kirurgjik mund të përdoret nëse dhimbja është tepër e fortë, lakimi i shtyllës kurrizore është më intenziv duke i shkaktuar kështu dëme palcës kurrizore. Kirurgjia është opsioni i vetëm për korrigjimin e suksesshëm të deformimit.  Nëse kifoza vërehet gjatë periudhës së rritjes, reduktimi i progresit të lakimit mund të arrihet me anë të protezës.