Osteoporoza
Osteoporoza është një sëmundje e kockave e cila zvogëlon dendësinë dhe cilësinë e indit kockor. Thyerja e kockave tek këta persona mund të ndodhë edhe për shkakt të traumës apo ngarkesës më të vogël. Zakonisht thyerjet ndodhin tek rruazat e shtyllës kurrizore, tek kocka e femurit dhe kyçit të dorës.
Faktorët e rrezikut
Faktorët më të zakonshëm të rrezikut të osteoporozës janë:
- Mosha – mbi moshën 30 vjeçare masa e kockës fillon të bjerë.
- Gjinia - femrat janë 4 herë më të ndjeshme ndaj osteoporozës se meshkujt, veçanërisht më të rrezikuara janë gratë e moshës mbi 50 vjeçare, dhe gratë në menopauz.
- Historia familjare - nëse ndonjë nga paraardhësit tuaj ka vuajtur nga osteoporoza apo thyerja e kockave, atëherë edhe ju jeni në rrezik.
- Mungesa e aktivitetit fizik , rritja e peshës trupore, të ushqyerit jo siç duhet si dhe sëmundje të tjera.
Për kocka të forta dhe të shëndetshme
Aktiviteti i rregullt fizik dhe ushqimi i shëndetshëm mund të ndihmojnë në uljen e shfaqjes së rrezikut të osteoporozës. Me anë të konsumimit të shumë frutave dhe perimeve të pasura me vitamina, mund t’a parandaloni humbjen e masës kockore. Për shembull, kalciumi dhe vitamina D luajnë një rol të rëndësishëm për shëndetin e kockave. Nëse nuk i merrni këto përbërës thelbësorë me anë të ushqimit apo nëpërmjet ekspozimit në diell, atëherë konsultohuni me mjekun tuaj për mënyrën e marrjes së këtyre përbërësve.
Para dhe pas thyerjes së kockave
Shumë shpesh njerëzit nuk janë të vetëdijshëm se vuajnë nga osteoporoza, derisa të shfaqet thyerja e parë. Simptomat e kësaj sëmundje janë të padallueshme. Mund të ndodhë që të ndjeni dhimbje në pjesën e shpinës, ose të keni zvogëlim të lartësisë. Për të parandaluar plasaritjen e kockave duhet të bëni kujdes ndaj rënieve, vishni këpucë të rehatshme dhe lëvizni nëpër hapësira me diell. Këto këshilla vlejnë edhe kur të jeni shëruar nga kjo sëmundje.
Diagnostikimi me DEXA SCAN
Hapi i parë për testimin e dendësisë së kockave është rregjistrimi me DEXA SCAN. Ky rregjistrim i sofistikuar mundëson imazhe të sakta dhe perecize të indit kockor. Skanimi është pa dhimbje dhe zgjat 10-20 minuta. Pasi dendësia e kockave tek gratë reduktohet pas menopauzës, rekomandohet kryerja e kontrollit të paktën një herë në dy vjet. Ndërsameshkujt nuk kanë nevojë për kontrolle të shpeshta, por nga ana tjetër nuk duhet t’a lënë këtë gjë në harresë.
Kthimi i dendësisë së kockës
Madje edhe nëse keni osteoporozë të diagnostikuar, mund t’a riktheni përsëri dendësinë e kockave. Kryerja e ushtrimeve, marrja e kalciumit dhe vitaminës D do t’ju ndihmojnë për t’a arritur këtë. Mënyra më e mirë për t’a zgjidhur këtë problem është kombinimi i sporteve, i vitaminave i ushqimit me ilaçe plotësuese. Në varësi të gjendjes, mjeku mund t’ju jape edhe terapi me ilaçe (bifosfonate), terapi fizike si dhe përdorimin e ortozës (pajisje e cila vendoset në dorë, në këmbë ose në shtyllën kurrizore) për t’a fiksuar atë.