fbpx
  •   +389 2 3099 500

Stenozat spinale

Stenozat spinale janë çrregullime të cilat shkaktojnë ngushtimin e kanalit kurrizor i cili shkakton dhimbje në shpinë dhe në këmbë. Stenozat mund të shfaqen në çdo pjesë të shtyllës kurrizore , por zakonisht shfaqen në pjesën cervikale dhe lumbale. Edhe pse stenozat spinale shkaktojnë presion në shtyllën kurrizore ato mund të ndikojnë edhe mbi funksionin e këmbëve, zorrës së trashë dhe fshikëzës së urinës. Stenozat spinale zakonisht janë rezultat i plakjes në kombinim me sëmundje të caktuara degjenerative të shtyllës kurrizore,zakonisht personat më të prekur ndaj kësaj sëmundje janë personat mbi moshën 60 vjeçare. Por kjo gjendje mund të prekë edhe personat më të rinj të lindur me një kanal kurrizor më të ngushtë se normalisht.

Simptomat

Stenozat spinale janë si rezultat i ngushtimit të kanalit të shtyllës kurrizore i cili kufizon hapësirën e lëvizjes së palcës kurrizore dhe nervave, për këtë arsye ato irritohen dhe acarohen.  Stenozat në pjesën lumbale (pjesa e poshtme) të shtyllës kurrizore shkaktojnë dhimbje në shpinë dhe në këmbë. Dhimbjet shtohen gjatë ecjes apo qëndrimit në këmbë për një kohë të gjatë. Pushimi mund t’i lehtësojë këto simptoma.

Shkaqet e shfaqjes së stenozës spinale

Kushtet që shkaktojnë ngushtimin e kanalit kurrizor përfshijnë dëmtimin e nyjeve, hernien diskale, artrit, ligamente të fryra, hipertrofia, rritje të kockave dhe spondilolisteza dhe në raste të rralla infeksione spinale dhe tumore. Ndonjëherë, ngushtimi i kanalit kurrizor mund të parandalojë zgjerimin e enëve të gjakut, gjendje kjo që mund të shkaktojë dhimbje. Personat të cilët janë të lindur me ngushtim të kanalit kurrizorë janë të rrezikuar ndaj zhvillimit  të stenozave spinale që në fazën më të hershme të jetës.

Diagnoza

Metodat më të zakonshme diagnostike për zbulimin  e kësaj gjendje është aparati i radiologjisë dhe rezonanca magnetike.  Në disa raste mund të përdoret edhe KT scan.

Trajtimi

Stenozat spinale janë gjendje të cilat progresojnë ngadalë, prandaj nëse zbulohet në një fazë të hershme mund të shërohet me trajtim konservativ, të tilla si ilaçe për lehtësimin e dhimbjeve dhe pushim/ relaksim. Në disa raste, doktori mund të rekomandojë terapi fizikale ose injeksion steroid epidural. Ndonjëherë qëndrimi në pozicion të përkulur duke i mbajtur këmbët drejtë dhe duke provuar t’a prekni tokën/dyshemenë, mund të ndihmojë në zgjerimin e kanalit të shtyllës kurrizore duke rritur rrjedhën e gjakut tek nervat kurrizorë.

Stenozat spinale me kalimin e kohës mund të përkeqësohen duke bërë të nevojshme ndërhyrjen kirurgjike. Qëllimi kryesor i ndërhyrjes kirurgjike është lirimi i presionit mbi rrënjët nervore në pjesën lumbale të shtyllës kurrizore. Kirurgu zgjeron kanalin kurrizor dhe mënjanën kockat e rritura të cilat shtypin rrënjët nervore. Kjo procedurë quhet dekompresion (çngjeshje) ose laminektomi dekompresive.