Rehabilitimi dhe terapia fizikale
Rehabilitimi i lëndimit të palcës kurrizore është një proces kompleks që kërkon një qasje multidisiplinore dhe ekip me përvojë, që ka për qëllim në të njëjtën kohë trajtimin e lëndimit dhe mosfunksionimin multisistemik të shkaktuar nga lëndimi. Qëllimi kryesor i rehabilitimit të pacientëve me lëndime të palcës kurrizore është reduktimi i pasojave të dëmshme të dëmtimit neurologjik dhe përmirësimin e kapaciteteve funksionale, rikthimin e pacientit në jetën e përditshme duke i dhënë ndjenjën që është i dobishëm për veten dhe mjedisin përreth, ruajtjen e shëndetit fizik dhe mendor si dhe parandalimin e komplikimeve.
Programi i rehabilitimit zakonisht zgjat 3-6 muaj, në varësi të nivelit dhe llojit të lëndimit të palcës kurrizore dhe pranisë të komorbideve dhe komplikimeve. Në këtë periudhë të gjitha sistemet organike përpiqen për t’a sjellë atë më afër funksionimit normal, duke minimizar morbiditetin, mortalitetin dhe shpenzimet e shtrimit në spital. Në të njejtën kohë bëhen përpjekje për maksimizuar nivelin e shëndetit, cilësinë e jetës dhe produktivitetit të pacientëve me lëndim të palcës kurrizore.
Rehabilitimi i këtyre pacientëve fillon që nga njësitë e kujdesit intenziv (rehabilitimi i hershëm).Në këtë periudhë merren masa për parandalimin e komplikimeve të cilat do të mund t’a ndërlikonin dhe zgjasnin më tej rehabilitimin. Vëmendje e veçantë i kushtohet ruajtjes së funksionit normal të sistemit të frymëmarrjes, parandalimit të shfaqjes së trompozës në thellësi të venës,ruajtjes së integritetit të lëkurës dhe parandalimit të kontraktimeve të nyjeve (kyçeve).
Rehabilitimin e hershëm të këtyre pacientëve e kryejnë fizioterapeutët e trajnuar në bashkëpunim me infermieret dhe gjithmonë nën kontrollin e fiziatrit. Gjatë rehabilitimit funksional vëmendje më e madhe i kushtohet gjendjes së pavarësisë dhe jetës normale të pacientit, pasi këta pacientë shpesh janë të varur nga pjesëtarët e tjerë të familjes.